Robinson Kruzo

1,000 L

Është vënë shpesh në dukje se tema e Robinsonit te Defoeja nuk ishte vetëm një histori, por “instrumenti i një kërkimi”: kërkim që niset prej ishullit të shkretë [déserte], dhe që mëton të rindërtojë origjinat dhe rendin rigoroz të punëve dhe të arritjeve që mbërrijnë me kohën. Por është e qartë që kërkimi është dyfish i shtrembëruar. Nga njëra anë, imazhi i origjinës presupozon atë çka mëton të ngjizë (shiko gjithë atë çka Robinsoni ka nxjerrë nga relikti). Nga ana tjetër, bota e riprodhuar duke u nisur nga kjo origjinë është e barazvlefshmja e botës reale, domethënë ekonomike, ose e botës ashtu siç do të ishte, e tillë siç do të duhej të ishte po të mos kish seksualitet (shiko eliminimin e çdo seksualiteti te Robinsoni i Defoesë). Mos duhet atëherë të konkludojmë se seksualiteti është i vetmi parim fantastik i aftë për të devijuar botën nga rendi ekonomik rigoroz ku e fikson origjina? 

SKU: 9789928113856 Kategoria

 Shkurt, te Defoeja, qëllimi ishte i mirë: ç’i ndodh një njeriu të vetëm, pa të tjerë, në ishullin e shkretë? Por problemi ishte shtruar keq. Sepse, në vend që të ridrejtonte një Robinson aseksual kah një origjinë e cila riprodhon një botë ekonomike analoge me tonën, arketip i tonës, do ish dashur që një Robinson aseksual të shpihej drejt qëllimesh krejt të dallueshme dhe divergjente me tonat, në një botë fantastike devijuese ajo vetë. Duke e shtruar problemin në terma qëllimi e jo origjine, Tournier ia ndalon vetes të lejojë që Robinsoni të braktisë ishullin. Përfundimi, qëllimi final i Robinsonit, është “dehumanizimi”, takimi i libidos me elementët e lirë, zbulimi i një energjie kozmike ose i një Shëndeti të madh elementar, që nuk mund të burojë veçse në ishull, dhe vetëm në përmasën që ishulli është bërë ajror ose diellor. Henry Miller fliste për ato “bëzajtje prej të sapolindurish të elementëve themelorë, helium, oksigjen, silic, hekur”. E padyshim ka diçka prej Milleri e madje dhe prej Lawrencei në këtë Robinson heliumi dhe oksigjeni: cjapi i ngordhur organizon sakaq bëzajtjen e elementëve themelorë.

Komente

Nuk ka ende komente