Belvedere në Kianti, një qytezë që shtrihet në kodrat e Toskanës, ku ka ullinj, vreshta me bollëk dhe beqarëve nuk u kanë ngelur as gjurmët, është në fazë fermentimi. Çarls Bingli, nipi i të ndjerit kont Rikasoli, vjen nga Anglia për të marrë në dorëzim trashëgiminë, fermën Guxhole.
Lajmi ka vënë në lëvizje vjehrrat e mundshme, të gatshme për të bërë gjithçka, vetëm e vetëm të rregullojnë vajzat e tyre me Çarlsin ose me shokun e tij po aq joshës, të pasur dhe single, Majkëll D’Arsinë.
Përkundrazi, e vetmja që nuk interesohet për këtë “gjueti” burrash është Eliza, shoqe fëmijërie e dy të rinjve në fjalë, me të cilët kalonte gjithë pushimet verore në fermë, ku tashmë jeton dhe i dedikohet me pasion vreshtit dhe prodhimit të verës.
Ndërkohë që të gjitha vajzat e Belvederes garojnë për të bërë për vete dy beqarët, Eliza përpiqet të kuptojë se cili do të jetë fati i fermës, duke qenë se Çarlsi dhe Majkëlli duket se kanë ardhur në Toskanë me qëllime jo shumë të qarta.
Kanë kaluar shumë vite që kur ajo dhe Majkëlli ishin shokë lojërash, jeta i ka ndryshuar dhe shumë sekrete janë rrënjosur me kalimin e kohës, sekrete që bëhen gjithmonë e më të vështira për të mbetur të fshehta. Është e mundur vallë që dy miq të pandashëm si ata të bëhen armiq të njëri-tjetrit?
Po nëse mes ca gotash verë Kianti, darka makaronash dhe shumë keqkuptimesh, Eliza dhe Majkëlli përfundojnë duke u përballur me ndjenja sa të forta, po aq të papritura ose ndoshta të pamundura për t’i mposhtur?
Në Belvedere, në vendin e thashethemeve, të gjithë duan të dinë…











