Braktisja e njeriut që do, është një prej zakoneve më befasuese në jetën njerëzore. Çfarë e shtyn këtë zakon të ketë një prani kaq të fortë në jetën tonë? Përse ky zakon është kthyer pothuaj në normë? Kush na e ka ngritur vallë këtë kurth? Si mundet të dalim prej tij?
Përmes një monologu drejtuar të atit, vajza e këtij rrëfimi mundohet të zbërthej një pamje të zakonshme të marrëdhënieve midis çifteve, si dhe trazimeve në të cilat këto marrëdhënie kalojnë. Përse vendosim ta largojmë nga jeta jonë dikë që deri një ditë më parë e kemi dashur me gjithë forcë? A ka nisur ky akt më herët, pa u vënë re, madje edhe nga vetë ai apo ajo që e ndërmerr?
Duke e risjellë dhe duke ecur paralel me mitin e lashtë të Orfeut dhe Euridikës, autori propozon një çelës të ri zbërthimi të asaj që mund të ketë ndodhur, duke na dhënë një qasje të thjeshtëzuar të arsyeve që e çuan Orfeun ta humbiste dashurinë e jetës. Por pikërisht te ky thjeshtëzim fshihet e gjithë tronditja. Jo vetëm për të kuptuar se përse Euridika nuk ndodhej pas Orfeut kur ai ktheu kokën i brerë nga frikërat e tij, por më shumë për të ngritur një pyetje të re: – Zgjedhje e kujt ishte mosprania e saj?











