Duke dhënë shpirt

1,500 L

Romani Duke dhënë shpirt (1930) i Uilliam Folknerit renditet ndër kryeveprat e letërsisë moderniste, një aventurë e guximshme në stil, e cila u kundërvihet konvencioneve letrare dhe pushtetit të së shkuarës.

SKU: 9789928261250 Kategoria

Folkneri ka pohuar se koncepti për romanin e tij të pestë përbëhej nga marrja e një familjeje dhe përballja e saj me dy gjëmat më të mëdha me të cilat mund të përballet njeriu: përmbytja dhe zjarri. Duke dhënë rravgimet e Bandrenëve për të përmbushur amanetin e nënës së tyre për t’u varrosur në Xheferson, hulumtohet gjendja ekzistenciale e të bardhëve të varfër në qarkun e Joknapatofës, i cili këtu përmendet për herë të parë. Ndër veprat më të shquara të Folknerit, ky është romani më i lexuar, i përshtatur dhe i vënë në skenë si dramë, dhe i realizuar si film dramatik në vitin 2013. Titulli është marrë nga thirrja e fantazmës së Agamemnonit, kur i drejtohet Odiseut: “Me krah’t e mi unë desha ta mbuloj,/ po një shpatë në çast më shojti,/ Ah bushtra grua më pa duke dhënë shpirt/ por as u afrua të m’i mbyllte sytë.” Edi, duke folur nga bota e të vdekurve, i bën jehonë gjendjes së Agamemnonit, megjithatë Bandrenët nuk ngjajnë me aventurierë heroikë, megjithëse shfaqin kurajë dhe qëndresë të jashtëzakonshme. Statusi i tyre i ulët shoqëror dhe idengulitjet (obsesionet) egoiste e shndërrojnë udhëtimin e tyre më shumë në farsë tragjike folkneriane, farsë të epikes, ndërsa tragjedinë familjare e përshkon humori i zymtë dhe ironik. Si gjetkë, në dekadën e madhërishme të Folknerit romancier (1929-1939), vizioni i romancierit u ndesh me tmerret e familjeve dhe jetës në bashkësi dhe paraqiti vlerën e qëndresës stoike. Ironia e Folknerit pranëvë realitetet mospërkuese të unit, prindit, fëmijës, së shkuarës dhe së ardhmes. Trupi që po kalbet i Edi Bandrenit është, natyrisht, imazhi më grotesk. Ndërkohë, të gjithë kanë motive të fshehta për të bërë udhëtimin nga Frençmenbendi në Xheferson. Ensi do të vërë protezën e dhëmbëve, Keshi do të blejë një gramafon, Djui Delli të ndërpresë shtatzëninë dhe Vardamani lakmon një tren lodër. Bërja njësh e guximit me grotesken dhe heroiken, qesharakes dhe hakmarrjes, mëshirës dhe tmerrit, krijon një agoni mes jetës dhe vdekjes. Absurditeti i gjendjes ekzistenciale shoqërohet me një aspekt heroik që bëhet njësh me përqeshjen e heroikes. Ky roman i çuditshëm, qesëndisës dhe i tmerrshëm, paraqet dramën e një familjeje, ku secili personazh kërkon të tërën që s’mund të krijohet dhe që ndoshta s’ka ekzistuar kurrë. Folkneri e quajti një “tour de force”. Romani rrëfehet me 59 monologë me gjatësi të ndryshme. 7 rrëfimtarët në vetë të parë të së njëjtës familje janë të ndarë në kapituj të shkurtër të kombinuar, duke e bërë romanin të lexohet gati si një dramë, me monologë të njëjtësuar (identifikuar) me emrat e folësve. Shumica e tyre përfaqësojnë mendimet e vetë Bandrenëve: Ensi, burri dhe babai, rrëfen 3 kapituj; Edi, gruaja dhe nëna, 1; Keshi, djali i madh, 5; Darli, djali i dytë, 19; Xhuëlli, djali i tretë, 1; Djui Delli, fëmija i katërt, një vajzë adoleshente shtatzënë, 4; dhe Vardamani, djali më i vogël, 10. Gjashtëmbëdhjetë monologë rrëfehen nga tetë personazhe që nuk janë pjesëtarë të familjes Bandren: Kora 3, Talli 6, Pibadi 2, Armstidi 1, Samsoni 1, Uitfildi 1, Mekgouëni 1 dhe Moselej 1. Kori prej tetë fqinjësh dhe banorësh të qytezës jep këndvështrimet e të huajve për atë që ngjan si një odiseadë groteske, ngaqë rrugëtimi për përmbushjen e amanetit të Edit për t’u varrosur në Xheferson, afër njerëzve të saj të gjakut, fillon vetëm tri ditë pasi ajo ka vdekur dhe vazhdon gjashtë ditë nëpër vapën e korrikut në Misisipi. Veprimi ndodh në 10 ditë, fillon ditën kur Edi vdes dhe mbaron pas varrimit të saj, por kthimet pas te ngjarje të mëhershme përbëjnë episode të rëndësishme në të kaluarën. Folkneri fsheh informacion të rëndësishëm, duke e detyruar lexuesin të ndërtojë historinë e familjes Bandren nisur nga ligjërimi fragmentar i monologëve të rrëfimtarëve të ndryshëm.

Shtëpia Botuese

Onufri

Numri i faqeve

435

Autori

William Faulkner

Komente

Nuk ka ende komente