Lavdia e Magelanit qëndron te sakrificat për ta realizuar ëndrrën e tij dhe të qindra e mijëra kapedanëve të tjerë detarë të pasionuar pas lundrimit.
Vetëmohimi i pashembullt i atyre pesë anijeve të vogla, të rraskapitura, të vetmuara mes ujërash, të cilat u nisën me qëllimin e shenjtë të zbulimit të së panjohurës, ka mbetur në kujtesën historike të njerëzimit.
Magelani, njeriu që dha idenë e lundrimit rreth e qark botës, ai që pati guximin ta ndërmarrë atë, do të mbetet i paharruar. Pas kërkimesh të kota prej një mijë vitesh, ishte anija e tij e fundit që arriti të njohë perimetrin e rruzullit tokësor.
Për herë të parë, me kapërcimin e hapësirës së tokës, njerëzimi ndjeu fuqinë, kënaqësinë dhe kurajën e arritjes së madhështisë së tij.
Kjo vepër pothuajse e harruar e Magelanit vërtetoi ndër shekuj se, kur qëllimi dhe pasioni marrin energji nga gjenia e mendjes, njeriu mbizotëron ndaj të gjitha forcave të natyrës.
Edhe një njeri i vetëm mund ta shndërrojë në një të vërtetë të pavdekshme atë që për qindra breza kishte qenë thjesht ëndërr e dëshiruar.
Komente
Nuk ka ende komente