Për Elenën parfumet janë gjithçka. Janë mënyra për të lexuar botën që e rrethon, ato nuk e kanë tradhtuar kurrë. Në Paris, parfumet e saj të personalizuara kërkohen shumë, sepse vetëm ajo di të shohë thellë brenda njerëzve dhe të gjejë esencën e duhur për ta. E ka prirje dhe kjo i sjell lumturi. Prandaj, kur një ditë, papritur, e humbet këtë aftësi, jeta i kthehet në makth. Duket se magjia e parfumeve është tretur diku. Pikërisht atëherë i vjen një propozim nga një person që nuk do t’i shkonte ndonjëherë në mendje: nga Suzana, nëna e saj, që nuk e ka dashur kurrë si bijë. Gruaja i kërkon që ta shoqërojë në një udhëtim që nis nga Firence dhe nga pallati i Rosinëve, paraardhëset e Elenës prej të cilave ka mësuar gjithçka. Dëshiron që ta marrë me vete në Japoni, sepse në vendin e luleve të qershisë, arti i parfumerisë udhëhiqet nga thjeshtësia dhe pastërtia. Për t’u lëshuar më pas në magjinë dhe forcën e trëndafilave nëpër Indi e deri në Ta’ifi të Arabisë Saudite, ku Lulja e Mbretit është traditë dhe shenjtëri. Një rrugëtim në kërkim të asaj që Elena druhet se e ka humbur. Një rrugëtim që kundërmon aromë lulesh dhe temjani. Por për Elenën, ky udhëtim do të thotë diçka më shumë; ajo do të gjejë përgjigjen që e kërkon prej vitesh. Sepse parfumi është shtegu që duhet ndjekur, por vetëm kur e kuptojmë se kush jemi në të vërtetë, mund t’ia dalim në krye dhe të prekim esencën tonë të pastër.
Parfumi të njeh
1,000 L
Cristina Caboni u bën një dhuratë lexuesve, duke iu rikthyer protagonistes dhe magjisë së romanit të saj të parë, Rruga e parfumeve, që e bëri aq të njohur në skenën letrare italiane. Pas kaq vitesh, Elena Rosini vazhdon të jetojë në zemrat e lexuesve. Tani ajo është sërish mes nesh nëpër rrugicat e Parisit, peizazhet e Firences dhe destinacionet e reja të udhëtimit të saj. Përkrah ka miq të vjetër e të rinj, por mbi të gjitha parfumet, që kanë aq shumë për të na thënë e mësuar.
Komente
Nuk ka ende komente