Kritika e Illich-it u orientua veçanërisht kundrejt teknologjisë dhe disa institucioneve themelore të modernitetit: arsimi, mjekësia, procesi i prodhimit masiv. Sipas autorit, arsimimi masiv dhe mjekësia moderne kanë sjellë përfitime të dyshimta, madje të rreme, për njerëzimin; këto zhvillime kanë manipuluar, duke i institucionalizuar, aspekte themelore të jetës, e si përfundim kanë sjellë bjerrjen e vetëmjaftueshmërisë, lirisë dhe dinjitetit njerëzor.
Në veprën “Shoqëria pa shkollë”, Illich i paraqet shkollat si vende ku mbretëron dhe përtërihet konsumerizmi dhe bindja ndaj autoritetit, dhe ku mësimi i vërtetë zëvendësohet nga një garë me pengesa nëpër një hierarki institucionale që, në vend të dijes, shpërndan kredenciale boshe. Në vend të shkollimit të detyruar, Illich propozon një model mësimor që transmeton dije dhe aftësi nëpërmjet rrjeteve të marrëdhënieve informale dhe vullnetare.
Illich ishte po aq kritik edhe ndaj mjekësisë moderne, të cilën e akuzonte, ndër shumë gjëra të tjera, për shtimin, në vend se pakësimin, e vuajtjeve. Në përputhje me pikëpamjet e tij, në vitet e fundit të jetës Illich nuk pranoi të kurohej për një tumor që, si përfundim, i shkaktoi vdekjen.
Komente
Nuk ka ende komente