Me një rrëfim e stil jo të zakontë në letrat shqipe, veçanërisht pas viteve ’90, autori e ka marrë temën nga Historia e Shqipërisë e shekujve XV-XVIII, por duke e trajtuar artistikisht si rrallëkush e duke sjellë një informacion me frymë analitike nga një pikëvështrim i ri dhe tërësisht sipas gjykimit të tij të ngjarjeve të mëdha të shoqërisë shqiptare të kësaj periudhe. Por, pavarësisht nga linjat e personazhet e shumtë që gërshetohen në libër, tema themelore e romanit do të mbesë procesi i gjatë shoqëror i islamizimit të shqiptarëve nga të krishterë në myslimanë, debatet për të cilin vazhdojnë të jenë në qendër të polemikave edhe në ditët tona dhe i kanë ndarë studiuesit, historianët, analistët, etj. në kampe me pikëpamje të ndryshme. “Të jetosh në ishull” është romani befasues i Ben Blushit, i cili vjen në letërsi nga politika dhe pas një përvoje të gjatë në median e shkruar.Duke e marrë temën nga një periudhë jo fort e njohur e historisë së Shqipërisë, fabula shtrihet në gati katër shekuj duke sjellë në letërsinë shqipe, personazhe të njohur, ngjarje e data që të çudisin për erudicionin e autorit, njohjen deri në imtësi të epokës ku zhvillohen ngjarjet dhe të zakoneve, traditave, organizimit të jetës së përditshme, e, në mënyrë të veçantë, të riteve e normave fetare që rrjedhin nga Librat e Shenjtë. Një Skënderbe ndryshe nga ç’e njohim, mosmarrëveshjet e tij me princin Arianit Komneni dhe historia e familjes Komneni e parë në disa breza, Ali Pashai i Tepelenës dhe qeverisja ekzotike e Janinës, konfliktet e tij me çamët e krishterë, lulëzimi dhe shkatërrimi i Voskopojës i përshkruar për herë të parë në letërsinë shqipe, luftërat e shqiptarëve deri në Kretë kundër Turqisë, si dhe bëmat e Sabatai Zevit, çifutit më të famshëm të Perandorisë Osmane që vdiq në Berat, janë vetëm disa prej kulmeve që të mbajnë mbërthyer pas leximit për të ndjekur zhvillimet e mëtejshme dhe përfundimin e ngjarjeve. Por, linja më dominuese në roman që do të ngjallë, padyshim, debate e diskutime të shumta mbetet procesi i gjatë dhe i ngatërruar i islamizimit të shqiptarëve të pas pushtimit nga Turqia. Ishte paqësor apo i dhunshëm ky transformim, u krye me dëshirën e vetë shqiptarëve apo u detyruan nga masat shtrënguese të pushtuesve?! Si bashkëjetoi një familje shqiptare e ndarë në dy fe në Shqipërinë e shekullit XVIII? Një roman që përpiqet të tregojë se si të shoqëria shqiptare e përsosi instrumentin e bashkëjetesës fetare për t’i mbijetuar asimilimit dhe rrebesheve të kohës.
Të jetosh në ishull
1,000 L
“Të jetosh në ishull” është romani i parë i autorit Ben Blushi, i njohur si politikan, ish ministër dhe zëvendësministër në disa dikastere në vitet e fundit, si dhe një gazetar i njohur në fillimet e tij. Është një nga rastet unike kur një politikan i kthehet letërsisë, ndërkohë që gjatë këtyre 18 vjetëve shoqëria shqiptare ka njohur fenomenin që një pjesë jo e vogël shkrimtarësh e poetësh, njerëz të letrave në përgjithësi lanë penën dhe iu përkushtuan politikës.
Komente
Nuk ka ende komente