As meshkujt nuk e dinë përgjigjen. Gjithmonë nëse ka një të tillë. Dhe pikërisht përgjigjen e kësaj pyetjeje nuk duhet ta prisni nga ky libër. Aq më tepër të ktheni një libër në një manual që do të zgjidhë problemet tuaja në çift. Kur postuam një copëz të librit ” Përse meshkujt dashurojnë kuçkat”, pak ditë më vonë në inbox-in e e-mail-it më erdhi ky mesazh : ” Shkova sot në librari por nuk kishte. I kam kapur të dashurit një sms në telefon dhe dyshoj se më tradhëton. Të lutem më thuaj çfarë shkruhet në libër për këto situata sepse jam shumë keq. Nuk di si të sillem”.
Sjellja në një marrëdhënie nuk mësohet siç mësohen rregullat e qëndrimit në tavolinë, apo siç mësohen gjuhët e huaja. Nëse edhe ju kërkoni të shndërroheni në “kuçkë” për të bërë për vete mashkullin tuaj, ky libër nuk do t’ju ndihmojë. Më duhet ta bëja këtë shpjegim – sigurisht e ndikuar pas e-maili-it që ju citova më lart- por edhe për faktin se duhet t’i lexoni librat edhe jashtë realitetit tuaj dhe jo t’i shikoni si manuale që ju udhëheqin gjatë të përditshmes tuaj. Sigurisht që ky libër ka disa gjëra të vërteta, POR JO ABSOLUTE. Le t’i kthehemi librit. Unë jam zbavitur shumë, sepse le ta pranojmë që një titull i tillë është shumë ngacmues për të qëndruar në raftet e librarive :).
I kthyer në një sensacion mbarëkombëtar, “Përse meshkujt dashurojnë kuçkat” është një libër ku Sherry Argov ka hedhur në letër mendimet që meshkujt kanë për femrat dhe perceptimet që kanë ata për atë që është e duhura. Në 283 faqe ka një sërë situatash që nxjerrin në pah Vajzat e mira- humbëse dhe Kuçkat – fituese gjatë një marrëdhënieje. Fjala kuçkë në libër qëndron për një femër të ftohtë në ndjenja ( në dukje), që nuk sakrifikon lirinë e saj për t’i bërë qejfin mashkullit të vet, e kundërta pastaj qëndron për përcaktimin “vajzë e mirë”. Libri është i shkruar si një manual dhe ndërthurje historish gjithashtu, për të treguar sesi reagojnë meshkujt përballë tipave të ndryshme të femrave që kanë përballë.
Sherry Argov ju përgjigjet gjithashtu disa pyetjeve që gulçojnë në kokën e femrave: Përse meshkujt në fillim janë kaq romantik dhe më pas ndryshojnë? Përse meshkujt i quajnë ” të sigurta” vajzat e sjellshme? Përse meshkujt e respektojnë një femër që është e zonja e vetes?
E di që jeni shumë kuriozë përse meshkujt dashurojnë kuçkat. Ja çfarë thonë ata.
Sepse me kuçkat ata kurrë nuk e ndjejnë se e kanë pushtuar femrën, prandaj gjithnjë vazhdojnë ta provojnë. Madje ka meshkuj që provojnë gjithë jetën ta bëjnë këtë. Në një kohë që vajzës së mirë i ikën truri, kuçka bën që truri t’i iki mashkullit.
Pyetni mamatë se cilët janë më të prapë: djemtë apo vajzat? shumica e pranojnë se djemtë janë më të vështirë, sidomos nëse ke më shumë se një. Pse? Për shumicën e meshkujve SIGURIA = E MËRZITSHME. Prandaj ata kërkojnë mënyra për të shtuar argëtimin dhe rrzikun dhe bëjnë çmos për të ndjekur gjërat që janë më të vështira për t’u arritur. Është pikërisht elementi i rrezikut që e çon atë tek kuçka.
Kur një mashkull e shikon femrën si një vajzë të vogël, ose si motrën e tij për të cilën duhet të kujdeset, niveli i pasionit bie. Ai nuk ka dëshirë të bëjë dashuri me të motrën.
Komente
Nuk ka ende komente