I botuar në mbi 30 vende të botës, “Nuk duhet të fle” është duke u kthyer në një film të rëndësishëm, i prodhuar nga Ridley Scott, me Nicole Kidman dhe Colin Firth.
The Independent ka shkruar se kritika e ka mbështetur “Nuk duhet të fle” si një përzierje e arritur midis popullores dhe letrares. Me këto fjalë mund të përmbledhim konkluzionin e pothuajse të gjithë atyre që kanë shkruar e folur për këtë libër: ky është një thriller letrar dhe stili i autorit është i admirueshëm.
Pasi i ka mbijetuar një aksidenti, Kristina është e sëmurë me një formë amnezie për shkak së të cilës ajo mund të mbajë mend vetëm çfarë i ndodh në 24 orët e fundit. Çdo mëngjes ajo zgjohet në padije mbi rrethanat e jetës së saj dhe i duhet të mësojë gjithçka nga e para: kush është burri që i fle pranë, ku jetojnë, kanë apo jo fëmijë. Romani merr formën e një ditari që Kristina e mban edhe falë inkurajimit dhe ndihmës së doktor Nashit, i cili,fshehurazi të shoqit të Kristinës, ka filluar të interesohet për sëmundjen e saj. Ditari e ndihmon Kristinën të zbulojë gjëra që ajo ka harruar, si p.sh., që dikur ka shkruar një roman. I shoqi ia ka fshehur këtë. Pse? Çfarë tjetër fsheh ai? Vallë ia ka fshehur ai këtë thjesht që ajo të mos mërzitet apo ka arsye të tjera, më të thella? E pse duhet t’i besojë ajo doktor Nashit në vend që t’i besojë bashkëshortit?
Komente
Nuk ka ende komente