Ai mendonte se Laide do ta vështronte, jo se e rrente mendja që ishte i bukur, por tekefundit një burrë si ai do të duhej t’i bënte qejfin, për fodullëk në mos për tjetër, të ndiheshe i mbrojtur nga një njeri kaq për së mbari, pastaj ajo nuk duhej të ishte aq e mësuar me një njeri kaq fisnik, pa dyshim një njeri kaq fisnik ajo s’e kishte hasur kurrë, ose ndoshta po, kishte hasur syresh pa dyshim, kishte vajtur në shtrat dhe i kishte puthur e s’kish lënë gjë pa bërë me ta, por asnjë prej këtyre burrave nuk e kishte trajtuar sigurisht si ai, të gjithë e kishin trajtuar si një çupërlinë që s’vlente veçse njëzet mijë lira, me të gjitha miklimet e rastit, pas të cilave fshihej një përçmim i skajshëm – kështu mendonte – ndërsa ai nuk bënte dallime nga për së mbari dhe jo për së mbari, ai e trajtonte si një zonjë, një princeshë nuk do ta trajtonte më mirë, nuk do të kishte patur kaq përkujdesje. Një buzëqeshje, një vështrim mirënjohjeje i dukej se e meritonte thuajse patjetër.
Një dashuri
1,000 L
Teksa agimi i mjegullt i Milanos bën përpara lodhshëm, e paqtuar, me hundën nazike përpjetë, po fle rrugaçja e vogël. E ka fituar apo e ka humbur luftën e vogël që ditë për ditë ka luajtur me dhëmbët shtrënguar kundër paturpësisë, rinisë dhe gënjeshtrave? Por a mund të bënte ndryshe? Ai vetë, Antonio – siç pohonte Piera s’e detyroi të mbrohet e ta gënjejë? Po ajo nuk kishte arsye për të qenë ndyrësirë? Thua se vetëm tani Antonio po e kuptoka më së fundi se cila është Laide dhe sesi mjerimet e saj nuk kanë mbinë nga ajo, por është detyruar me pahir, ditë për ditë, nga qyteti, nga burrat, edhe nga vetë Antonio, dhe nuk kishte as faj, as ligësi, as turp, as arsye për përçmim apo ndëshkim?
2 stok
Komente
Nuk ka ende komente