Vepra voluminoze është shkruar dhe është botuar dy vjet pas marrjes së Çmimit Nobel në Letërsi në vitin 2006. “Muzeu i pafajësisë” është një histori magjepsëse dashurie, me një shtritje të gjatë në kohë dhe një densitet të lartë emocional. Besnik i zhanrit të tij rrëfimtar, Pamuk përmes një linje të qartë me një vijueshmëri detajesh dhe sentimentesh, nuk lodhet së përsjelli lexuesin në një ëndërr të gjatë nanuritëse, por njëherësh edhe ankthsioze. Në qendër të romanit është një djalosh i ri, i pasur, Kemali, i cili në zenit të lumturisë së tij, i rrethuar nga mirëqënia, nga jeta aristokrate, dashuria dhe klasi i gruas me të cilën do të fejohet, prej një takimi të beftë me një vajzë të re të bukur, një kushërira e tij e largët, që tashmë është rritur dhe punon si shitëse, do të hyjë në një spirale ndjenje e pasioni të verbër, të një robërimi shpirtëror e fizik, që do të jenë qerthulli i tetë viteve të ardhshëm të tij. E gjithë bota e tij përmbyset dhe djaloshi ynë Kemal, shumë i përngjashëm me vetë Pamukun e ri, do të ecë mes përpjekjesh, vuajtjesh, ëndërrimesh ku e shpie “verbëria” e dashurisë së tij të parrokshme, që e lëkund mes shpresës dhe ëndërrimit. A do të lidhet Kemali me Fysunin? Lexuesit do t’i duhet të ndjekë hap pas hapi fatin e këtyre personazheve për të zbuluar një Turqi që po zhvillohet, evropianizohet dhe që përpëlitet mes dukurive të tranzicionit. Ky roman është një dedikim ndaj “pafajësive” të mëdha të turkut të fundshekullit te kaluar dhe të sotëm, që përpiqet mes civilizimit evropian dhe traditës orientale. Të gjitha detajet që shpesh duken tejet të hollësishme, s’janë veçse piketa dhe shenja që autori dëshiron t’i bëjë me dije për të zbërthyer jo thjesht një histori dashurie, por vetë Turqinë, historinë, kulturën, mentalitetin, modernitetin, traditën, bashkë me peizazhin e patjetërsueshëm, aq të njohur nga lexuesi shqiptar përmes korpusit letrar të Pamuk, i cili prej vitit 2006 është botuar në vijim në shqip.
Muzeu i pafajësisë
2,000 L
Ky libër risjell në kujtesën e botës letrare, histori elektrizuese dashurie të njohura dhe pashlyeshme, të cilat koha jo vetëm që nuk i zbeh, por i kthen ato në pjesë të kanunit të sentimentit njerëzor. Jo më kot ky libër është identifikuar me peshën dhe forcën shenjuese të “Lolitës”, të “Madamë Bovarisë” dhe ” Ana Kareninës”.
Komente
Nuk ka ende komente