Ai është vëllai i “Arabit” të vrarë nga njëfarë Mërso, krimi i të cilit lidhet me një roman të famshëm të shek XX. Shtatëdhjetë vjet më pas, Haruni, që në fëmijëri ka jetuar në hijen dhe me kujtimin e vëllait të vrarë, nuk pranon ta lërë këtë në anonimat: i jep një emër dhe një histori Musait të vdekur rastësisht në një plazh me shumë diell.
Haruni është një burrë plak i sfilitur nga frustrimi. Darkë pas darke, në një bar të Oranit, ai ripërtyp vetminë, zemërimin kundër njerëzve që kanë aq shumë nevojë për një zot, pështjellimin e tij përballë një vendi që e ka zhgënjyer. I huaj mes njerëzve të tij, ai do të dëshironte më mirë të vdiste…
Homazh në formën e një kontrapunkti i bërë romanit “I Huaji” të Albert Kamysë, “Mërso, rihetim” luan në mënyrë trallisëse bllofe e dredhira për të risjellë çështjen e identitetit. Nëpërmjet këtij reflektimi në Algjerinë bashkëkohore, Kamel Daoud, i njohur për shkrimet e tij polemike, zgjedh këtë herë letërsinë për të paraqitur rolin e ndërlikuar të trashëgimive që kushtëzojnë të tashmen.
Fragment nga libri
A besoj në Zot? Tani po më bën për të qeshur! Pas kaq orëve që kemi ndenjur bashkë… nuk e di përse dikush, që më bën një pyetje për ekzistencën e Zotit, kthehet gjithnjë nga burri për të pritur përgjigjen. Bëja atij pyetjen, drejtpërdrejt!
Shpesh kam vërtet përshtypjen se gjendem në atë minare dhe i dëgjoj, atje, tek duan të thyejnë portën që e kam mbyllur mirë, duke britur vdekje për vdekjen time. Ata janë atje, pikërisht pas dere, të tërbuar.
E dëgjon portën që kërcet! Më thuaj, e dëgjon? Unë e dëgjoj. Ajo do të epet. Po unë? Po unë përse ulëras? Kjo është një pyetje që askush nuk e kupton: “Këtu nuk ka njeri! Nuk ka pasur kurrë njeri! Xhamia është bosh, minarja është bosh. Gjithçka është bosh!”
Është e sigurt se do të ketë shumë spektatorë ditën e ekzekutimit tim dhe se ata do të më presin me klithma urrejtjeje. Heroi yt mbase kishte të drejtë që në fillim: nuk ka pasur kurrë asnjë të mbijetuar në këtë histori. Të gjithë kanë vdekur menjëherë, aty për aty.
(…) O Zot, sa të pëlqen të tallesh me krijesat e tua !…
Koment nga Le Monde
“Një roman i mrekullueshëm… Në të ardhmen, “I Huaji” i Kamysë dhe “Mërso, rihetim” do të lexohen krah njëri-tjetrit.”
Komente
Nuk ka ende komente