Ges, unë nuk jam besimtar, megjithatë, një buzëmbrëmje dimri anonim, tek mendoja të tashmen tënde të trishtuar dhe të ardhmen tënde të zymtë, pasi ti më kishe dendur me grushta e flakur përtokë si një thes me kashtë të kalbur, rashë në gjunjë dhe i drejtova dëshpërimisht këtë lutje njerëzore Fatit, Rastësisë, Natyrës apo Zotit, pak rëndësi ka: “O Ti, i Mistershmi, i Gjithpushtetshmi, i Pashmangshmi! Shëroje Gesin tim të pafajshëm! Nuk të kërkoj, nuk të përgjërohem ta bësh gjeni, apo talent, jo, bëje thjesht normal, a më degjon, a më kupton, thjesht N-O-R-M-A-L, si shumica e fëmijëve të kësaj bote, të kësaj jete! Bëje normal që ai të jetë të paktën i zoti i vetes, të arrijë të mbijetojë edhe kur të gjendet përfundimisht vetëm pas vdekjes së prindërve të tij. Plotësoma këtë dëshirë dhe jam gati të ta fal jetën time! Të ta fal jetën time? Kjo do të ishte fare e thjeshtë për mua, madje do të ishte diçka parajsore, sepse Ti e di, për mua përtejvdekja, pra, pavdekësia, është zinxhiri i trashëgimtarëve: Gesi njeri normal, i biri ose e bija e Gesit, nipat e mbesat e Gesit e kështu, nga hallka në hallkë, derisa të ketë jetë mbi rruzullin tonë tokësor. Ju jeni prindër të lumtur, besomëni për këtë! Pa viheni veten për një çast në vendin tim: si do të ndiheshit sikur të kishit një fëmijë autik si puna e Gesit tim, ndoshta në gjendje edhe më të rëndë, një fëmijë pa të ardhme, pa asnjë siguri jetike pas vdekjes së prindërve meqënëse shteti e shoqëria shqiptare janë të paaftë t’i marrin ata plotësisht në ngarkim? Prandaj të mos e zgjasim: Ju jeni prindër të lumtur! Po, po, të lumtur, me gjithë problemet e mëdha ekzistenciale që mund të keni: pa punë, ngushtë në shtëpi, pa para, me borxhe, mbase të braktisur nga të afërmit, ndoshta nga vetë fëmijët tuaj, megjithatë po e përsëris edhe një herë: ju jeni prindër të lumtur! Mos e harroni këtë! Kjo është e vetmja këshillë që dëshiroj t’ju jap tani që ju sapo e keni mbaruar së lexuari librin tim për Gesin. Prandaj, sa herë të keni një problem të vështirë për të zgjidhur në jetën tuaj, kujtoni Gesin tin, kujtoni gjithë Gesët e Tiranës, e Shqipërisë e më tej, kujtoni kaluarin e përditshëm të jetës së prindërve të tyre, të cilët, edhe kur ju duken se janë me humor dhe në formë, i gërryen përbrenda, si një tumor i fshehtë, i pashërueshëm, pasiguria, ankthi, frika për të ardhmen e vogëlushëve të tyre të brishtë, të pambrojtur dhe atëherë thojini, ulërijini vetes: Po, ne jemi prindër të lumtur!
Kur dhimbja premton dashuri
600 L
Ju jeni prindër të lumtur, besomëni për këtë! Pa viheni veten për një çast në vendin tim: si do të ndiheshit sikur të kishit një fëmijë autik si puna e Gesit tim, ndoshta në gjendje edhe më të rëndë, një fëmijë pa të ardhme, pa asnjë siguri jetike pas vdekjes së prindërve meqënëse shteti e shoqëria shqiptare janë të paaftë t’i marrin ata plotësisht në ngarkim?
Komente
Nuk ka ende komente