I konsideruar si një ndër romanet më të bukur të letërsisë europiane të shekullit të XX dhe një ndër veprat më të rëndësishme të letërsisë jugosllave, Kronikat e Travnikut është saga e jetës së një qyteti të vogël të Bosnjes, në periudhën mes viteve 1806 dhe 1814, kur ushtritë e Napoleonit kishin mbërritur jo larg që aty, në kufijtë europianë të Perandorisë Osmane. Rrëfimi nis pikërisht në çastin kur në këtë qytet të humbur të Perandorisë, ku në një atmosferë dyshimi e mosbesimi reciprok, prej shekujsh bashkëjetojnë njerëz të besimit musliman, katolik, ortodoks e hebre, vjen konsulli francez, e menjëherë pas tij, dhe ai austriak. Dhe kështu befas ky cep i humbur i Perandorisë, deri atëhere krejtësisht i izoluar, tronditet thellësisht kur e sheh veten të detyruar të hapet ndaj botës, duke u shndërruar njëkohësisht në një teatër të vogël të diplomacisë, rivalitetit dhe intrigave të fuqive të mëdha të kohës. Në këtë kryevepër të tij, Ivo Andriç ka aftësinë e rrallë që jo vetëm të na sjellë një tablo epike të jetës dhe atmosferës së një periudhe të historisë së qytetit të tij të lindjes, por arrin të krijojë mjeshtërisht një galeri të pasur personazhesh mbresëlënës që formojnë një mikrokozmos të mbarë një shoqërie që mban brenda vetes gjithë potencialin për keqkuptime e konflikte me karakter fetar, kombëtar apo kulturor, duke krijuar kësisoj ato barriera vështirësisht të kapërcyeshme që ndajnë dhe vetë individët. I shkruar gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, në sfondin e dhunës që shpërtheu atë kohë mes bashkësive të ndryshme që jetonin në ish-Jugosllavi, romani Kronikat e Travnikut përbën kësisoj një çelës për të kuptuar më mirë nga rrënjët e dramës së përgjakshme që u shpalos në ish-Jugosllavinë e viteve 90 të shekullit që shkoi.
Kronikat e Travnikut
1,400 L
Ivo Andriç ka talentin e rrallë ndër romancierët me temë historinë, që jo vetëm ia del të krijojë një tablo të kohës, të mbushur me koloritin lokal, por dhe të na sjellë karaktere të cilët fare mirë mund të jetonin edhe sot.
Përshkrim
Informacion shtesë
Shtëpia Botuese | Idk |
---|---|
Numri i faqeve | 480 |
Autori | Ivo Andriç |
Komente
Nuk ka ende komente