Engjëj të armatosur

700 L

“Engjëj të armatosur” i Diana Çulit është romani i saj më i arrirë.

SKU: 9789994314959 Kategoria

Pas afro pesëmbëdhjetë vjet heshtjeje, pothuaj të plotë, romani i Diana Çulit “Engjëj të armatosur” vjen e na flet për një nga periudhat më të glorifikuara e, në të njëjtën kohë, më të përgojuara, më të nëmura e më të paragjykuara në mbarë historinë tonë (pa hidhni një sy e shihni se ç’bëhet edhe sot e gjithë ditën me atë që rëndom në të gjithë botën e qytetëruar quhet dita e Çlirimit e ka një datë të përcaktuar që kurrkush s’guxon të vërë dorë mbi të), Luftën Antifashiste. E pra, Diana Çuli, ka kurajën si qytetare e si krijuese të ballafaqohet me këtë sfidë, jo vetëm letrare, dhe të këqyrë gjithçka përmes një këndvështrimi të ri. Edhe pse gjithçka zë fill e niset nga një marrëdhënie në dukje sentimentale mes dy personave, Dorothe Gjikës dhe Aleks Lazarit, në të vërtetë ajo shkon e shpërfaq një pjesë të atij kuadri epik të luftës me ngjyra të ndezura që i shkojnë aq fort për shtat peizazhit të Bregut, dekorit ku zhvillohen ngjarjet, me tone të spikatura realiste. Ajo që fillimisht ngjan si njëfarë volie për autoren, domethënë fakti që subjekti i këtij romani mbështetet mbi një ngjarje të jetuar, me heronj realë, kish fort të ngjarë që t’i rrinte si këmishë force shtatit të romanit e fare mirë mund të shndërrohej në një handicap, duke e futur në hulli që e degdisnin larg një vepre të mirëfilltë letrare dhe e privonin prej pasurisë së shprehjes në regjistra të ndryshëm që të jep arti i fiction-it. Por, dora-dorës, që shtyhemi në lexim vërejmë se Çuli i është shtëmëngur me elegancë kësaj gracke duke i dhënë vetes gjithë lirinë e mrekullueshme për të fluturuar e kullotur mbi livadhet e fantazisë dhe, në të njëjtën kohë, duke mos tradhtuar heronjtë e saj dhe botën e tyre fizike e shpirtërore që duket sheshit se i ka fort për zemër. Boshtin e romanit të Çulit e përbën drama e dy të rinjve, Dorothe-Aleks, e cila, realisht, është drama e të gjithë të dashuruarve që humbën jetën gjatë luftës, e për të cilët kurrkush nuk shkroi dot edhe një radhë, jo nga dora e armikut, por e atyre që i pandehnin shokë e bashkëluftëtarë; është drama universale, e përjetshme, e ndjenjës së pastër e të çiltër që shkon e shkërmoqet përballë vrazhdësisë së puritanizmit patriarkal e moralit kallp të një ideologjie vrastare dhe, ndonëse shpesh është anashkaluar, enkas, edhe përballë makiavelizmit politik, sivëllezërve të Jagos, intrigat e të cilëve nuk do të binin më poshtë se ato të personazheve shekspirianë. Ndonëse disi periferike në rrjetin kompleks të linjave që përshkojnë kryq e tërthor romanin e Çulit, një nga linjat më interesante është ajo Dorothe-Leon Nasta, ish i fejuari i “mëkatares” dhe kuadër i luftës e njeri me formim të lartë intelektual. Paradoksalisht nëpërmjet disa elementëve që spikasin në të ne arrijmë të depërtojmë e të rrokim thelbin e çështjes, thënë më shkoqur, të arsyes së vërtetë të vrasjes së Dorothesë, përtej çdo retorike e mjegulle dashakeqe me të cilën kjo vrasje ka pasë qenë mbështjellë për afro gjysmë shekulli. Si në strukturë ashtu edhe në përmbajtje, “Engjëjt…” e Çulit ka diçka nga tragjeditë e antikitetit. Pikësëpari Fati dhe Fataliteti që u vigjilojnë mbi krye dhe shoqërojnë si Dorothenë dhe Aleksin, ashtu edhe personazhet e tjerë në dramat e tyre të jetës e të vdekjes, duke na kumtuar se gjithçka është e parashkruar dhe kurrkush nuk mund t’u imponohet Mojrave e të këmbejë fatet tona. Vetë struktura e romanit, me personazhet që shfaqen e zhduken për t’u rishfaqur sërish si në një skenë antike, i vjen në ndihmë kësaj gjëje. Në këtë mozaik karakteresh ngjajnë disi të huaj dhe tingëllojnë me një lloj falsetto-je në korin e madh të personazheve rrëfimet e italianëve dhe anglezit, vërtetësia e thënieve të të cilëve lidhur me atë çka mund t’u ngjajë ekzotike në këtë histori është e parakuptueshme dhe bash për këtë gjë nuk përbën vlerë të shtuar në vepër. Ma do mendja që nuk rrëmbehem e gaboj kur pohoj se “Engjëj të armatosur” i Diana Çulit është romani i saj më i arrirë. Por ajo në çka shpresoj fort ka të bëjë me faktin se ky roman lypset të jetë një pikënisje e re në atë që ndonëse në mënyrë skematike mund ta përcaktojmë letërsi të luftës, pra, duke ia zhveshur cipën e dogmës dhe, njëkohësisht, duke e mbrojtur nga detraktimi. Virgjil Muçi

Komente

Nuk ka ende komente