Kur Uiljam Folkneri (1897-1962) nisi të shkruajë romanin “Dritë e gushtit,” në vitin 1931, romanin e tij të shtatë dhe një prej romaneve më të rëndësishme të shekullit të njëzetë, ai ishte tanimë shkrimtar i shquar. Folkneri ishte një shkrimtar që kishte gjetur zërin e vet jo vetëm si autor i romaneve “Flamuj në pluhur”, “Bujë dhe tërbim”, “Në shtratin e vdekjes” dhe “Faltorja”, tre romanet e fundit përgjithësisht të pranuara ndër veprat e tij më të rëndësishme, por ngase zotëronte mjeshtërinë e të shkruarit aq sa për të zënë një vend të lavdërueshëm ne letrat amerikane. “Dritë e gushtit” (1932) mishëron jo vetëm mjeshtërinë e shkrimtarit të sprovuar por edhe zotësinë e romancierit që kërkon shtigje të reja në artin e romanit. Pas risive strukturore të romaneve “Bujë dhe tërbim” dhe “Në shtratin e vdekjes” si dhe përshkrimeve gotike të zvetënimit në botën e romanit “Faltorja”, Folkneri pasqyron në këtë roman, një interes të posaçëm për Misisipin e Veriut, në mbretërinë e tij imagjinare të Joknapatafës. Duke iu kthyer një forme pak më tradicionale të kompozimit të subjektit, ai i kushtoi më shumë vëmendje thelbit të rrëfimit në vetvete bashkë me personazhet që popullojnë një kontekst të mirëpërcaktuar gjeografik, historik dhe kohor. Romani ka një galeri personazhesh dhe skenash të gdhendura mjeshtërisht që përsillen rreth njëra tjetrës dhe së fundi bëhen njësh në një qendër të padepërtueshme, personazhi i Krishtlindit. Po aq larg nesh dhe autorit që e ka krijuar sa është nga shoqëria përreth tij, Krishtlindi ka diçka nuk e rrëfen deri në fund për veten, disa pamje në skutat e qenies të cilat ne ndjejmë se kemi nevojë t’i kuptojmë. Po kaq e dukshme sa largësia është fakti se ai personifikon çdo personazh dhe lëvizje në libër. Gjithçka që gjendet në këtë roman bëhet njësh tek ky personazh emri i të cilit mbart plot mister: Xho Krishtlindi…Megjithatë, mister mbetet kuptimi i “Dritë e gushtit” sepse padepërtueshmëria tek jeta e Krishtlindit bëhet mënyra e vetme me të cilën Folkneri mund të nyjëtojë një të vërtetë më të madhe se njerëzorja, plotësinë e qenies rreth të cilës Lina, Hajtaueri, Bajroni, Xhoana, Hainsi, Grimi janë hije njerëzore. Folkneri donte ta titullonte këtë roman në fillim “Shtëpia e zymtë” dhe ta përqendronte atë mbi atë Gejl Hajtauerin, një nga ata romantikët e pashërueshëm që nxjerrin në pah të kaluarën heroike të paraardhësve të tyre të Konfederatës. Hajtaueri humbet gjithçka; kishën, gruan, kuptimin e jetës , dhe megjithatë, përfaqëson një anë të nihilizmit të Folknerit. Duke ndihmuar në lindjen e fëmijës së Linës, ai ka rastin të rifillojë të jetojë. Do shkojë kështu drejt një heroizmi moral duke u përpjekur, edhe pse më kot, të shpëtojë Xho Krishlindin nga dhuna e turmës. I pyetur për titullin e romanit Folkneri dha këtë shpjegim: “Ka të bëjë me atë që ndodh në gusht, në Misisipi, gjatë disa ditëve afërisht në mes të muajit, ti ke ndjesinë e përjetimit të vjeshtës, ajri është i freskët dhe drita ka një shkëlqim të atillë sa ngjan se nuk është dritë e kohës sonë por vjen nga një kohë e lashtë, koha e antikitetit. Vjen nga koha e hyjnive dhe Satirëve dhe zotave grekë, dritë që vjen diku prej Olimpit. Kjo lloj dritë zgjat vetëm një apo dy ditë, dhe pastaj zhduket, por kjo ndodh në gushtin e çdo viti në Misisipi, dhe kjo është domethënia e titullit. Për mua ai ishte një titull i kënaqshëm, domethënës, ngase sillte në kujtesë ato kohë, një përndritje më e lashtë se qytetërimi ynë kristian.” “Dritë e gushtit” është roman i qëndresës shpresëplotë kundrejt vdekjes dhe rrëfen tre histori; historinë e gruas së re dhe të pafajshme Lina Grouv në kërkim të babait të fëmijës së saj të palindur; historinë e Gejl Hajtauerit i cili jeton në të shkuarën me historitë e dikurshme të kalorësve të Konfederatës, dhe, historinë e Xho Krishtlindit, me njërin prind të bardhë dhe njërin zezak, kësisoj me prejardhje të përzier racore. Folkneri e nisi shkrimin e romanit duke mos pasur ide tjetër përveçse një personazhit të një gruaje të re, Lina Grouvit, shtatzënë, duke u çapitur e vetme në rrugët e një qyteze të huaj, e mbetur pas asgjë, dhe e vendosur për të gjetur të dashurin e saj. Ajo mund të jetë forma e shkurtër e emrit “Helena” ose “Magdalena” dhe kësisoj, kombinon bukurinë dhe ngasjen seksuale të Helenës së Trojës dhe ngjyresën kuptimore të Magdalenës, prostitutës së shëlbyer. Personazhi i Lenës të kujton edhe tipare të Virgjëreshës Mari dhe fëmija të cilën ajo lind, mund të konsiderohet si një fëmijë-Krisht.
Granit Zela
Komente
Nuk ka ende komente