Don Kishoti i Mançes 1

800 L

Ky libër është një nga kryeveprat e letërsisë botërore, një ndalesë e pashmangshme për këdo që komunikon me letërsinë. Ky vëllim vjen me një tjetër kuptim në gjuhën shqipe dhe për kohën kur është përkthyer. Servantesi është përkthyer nga Fan Noli

SKU: 9789928164865 Kategoria

Servantesi e shkroi “Don Kishotin”, sikundër na thotë ai vetë, me qëllimin që të diskreditonte librat e kalorësisë. Vepra e tij, pra, ishte doemos revolucionare, se për të diskredituar librat e kalorësisë duhej të diskreditonte tërë Kohën e Mesme me të gjitha përrallat e saj. Për këtë qëllim, Servantesi zgjodhi si heronj të veprës së tij dy nga tipat më reaksionarë dhe mesjetarë që kishte e që kemi përpara sysh: bejlurçinën, sojliun e fandaksur të katundit, Don Kishotin e Mançës, dhe laron, sejmenin, fshatarin e varfër e të paditur, Sanço Pançën. Këta të dy marrin përsipër barrën të ringjallin periudhën e kalorësve të arratisur, domethënë ta kthejnë Spanjën edhe tërë botën nja 300 vjet prapa e të hidhen: nga Spanja e madhe e centralizuar, që ka zaptuar gjysmën e Amerikës, në Spanjën e vogël e të përçarë dhe të shtypur prej arabëve; nga Koha Moderne në Kohën e Mesme; nga kapitalizmi në feudalizëm; nga dyfeku dhe topat, në shtijëzën dhe çomangën; nga shkenca në magji; nga historia në përrallat; nga përparimi në errësirë. Me ç’mënyrë ka shpresë Don Kishoti ta mbarojë këtë vepër utopike? Fare lehtë. Duke u bërë ai vetë kalorës i arratisur sipas librave që kishte kënduar. Pra, merr nga qilari armët e çelikta të ndryshkura e të zgjyrosura të stërgjyshërve të tij, i shkund, i lan e vishet me to; pagëzon gërdallën e tij me emrin Rosinant, zgjedh një të dashur që e riemëron Dylqinjë; dorëzohet kalorës nga një hanxhi dhe nga dy kalltakë; zgjedh Sanço Pançën si shqytar e sejmen dhe niset për të reformuar e për të shpëtuar botën. Është një fantazmë e ikur nga muzeu që shëtiti në Spanjën moderne. Është anakronizmi ambulant. Është vizionari, që nuk sheh realitetin, por ëndërron me sy hapur. Është utopisti reaksionar që vete prapa e jo përpara; që përpiqet të kthejë rrotën e historisë prapa; që i bie me kokë murit të çeliktë modern.

Komente

Nuk ka ende komente