Besoj shumica prej jush keni dëgjuar për Colleen Hoover? Colleen Hoover është një nga autoret më të famshme për momentin kudo në internet. Hoover shiti 14.3 milionë libra vetëm në vitin 2022, ndërsa në vitin 2016 ishte një autore që publikonte librat si një autore e pavarur.
Ka fituar famë me historitë e dhimbshme të dashurisë, ku dhuna zë një hapësirë të konsiderueshme në to. Një lexuese amerikane shprehet: “Librat e saj më lënë gjithmonë pa fjalë dhe më bëjnë të qaj”.
Pavarësisht famës së jashtëzakonshme, shumë lexues e kanë kritikuar duke hedhur akuzën se Hoover i vesh skenat e dhunës me nota romantike dhe i bën ato të duken normale në një marrëdhënie dashurie, duke iu referuar kryesisht historisë në librin “It ends with us”… historia e Lily dhe Ryle, të cilët divorcohen pas shumë momentesh dramatike.
Një kritikë e tillë ka gjeneruar shqetësime të tjera tek lexuesit. Në çfarë mënyre duhet ta trajtojë arti dhunën? A i ka zhgënjyer pritshmëritë e lexuesve ky libër i zhanrit romancë? A përket ky libër në një zhanër të tillë, pasi dhuna nuk është thjesht një pjesë e kësaj historie por pjesa thelbësore e saj.
Whitney Atkinson, blogere dhe influencere në botën e letërsisë, shprehet: “Kur lexuesit zgjedhin të lexojnë një histori romantike, ata zakonisht fantazojnë dhe duan të ndihen sikur janë pjesë e saj. Në rastin e “It ends with us”, lexuesi nuk mund të ëndërrojë të jetë personazhi kryesor Lily dhe as Ryle pasi është elementi dhunë që nuk e lejon këtë gjë”.
Edhe në librin “November 9”, personazhi kryesor fantazon veten duke përdorur dhunë ndaj partneres.
Duket se Hoover përdor të njëjtën narrativë të dhunës vazhdimisht në librat e saj. Por lexuesit tërhiqen drejt librave sepse e shijojnë melodramën dhe ndjenjat intensive që nxisin historitë në këto libra.
A jeni dakord me këto këndvështrime? A mendoni se elementi dhunë është përdorur më shumë se ç’duhet? Pse mendoni se Hoover mori kaq shumë famë vitet e fundit?
Mirëpresim mendimet tuaja duke ju ftuar të shkruani këndvështrimin tuaj më poshtë.
One Response
Nuk mendoj se Colleen nxit dhunen ne librat e saj. Per veten time e kam pare ne aspektin qe ndonjehere ne tolerojme per hir te dashurise ose me shpresen qe gjerat do ndryshojne, por mesazhi qe jepet ne fund eshte teper i qarte. Dashuria nuk ka te beje me dhunen dhe nese dikush do e beje nje here dicka do vazhdoj ta beje gjithmone. Ne si lexues na pelqen ta krahasojme me veten shpesh ato pjese qe na pershtaten ose ne momente te caktuara se si ndihemi. Ky eshte perceptimi i gjithsecilit por ne kontekst me te gjere un mendoj se Hoover e jep qarte mesazhin e saj per sa i perket dashurise qe ne duhet te kemi ne jete.