Maja dhe Natasha janë motra binjake të lindura gjatë rrethimit të Leningradit në vitin 1941.
Nëna e tyre, balerina e parë e trupës së Baletit Kirov, e rënduar psikologjikisht nga lindja në kohë lufte dhe humbja përgjithmonë e mundësisë për të shkëlqyer si balerinë, i dha fund jetës fill pas lindjes së foshnjave.
Vajzat, që u rritën nga shoqja e ngushtë e “prima balerinës” së Kirovit, trashëguan talentin e së ëmës. Me kalimin e viteve, Akademia e Baletit Vaganova dhe regjimi totalitar sovjetik, është e vetmja botë që ato njohin.
Në vitin 1958, në vitin e fundit në Vaganova dhe në kulmin e Luftës së Ftohtë, gjithçka që Maja, Natasha dhe shokët e tyre të klasës dëshirojnë, është që të kërcejnë me Kirovin dhe t’i bashkohen trupës në turneun që do të bëhet në Amerikë.
Por një ligj i qeverisë së Kremlinit përmbys të ardhmen e motrave: anëtarët e së njëjtës familje nuk lejohen që të udhëtojnë bashkë jashtë vendit nga frika e arratisjeve.
Prandaj, në trupën e baletit të famshëm Kirov mund të pranohet vetëm njëra prej tyre. Maja, që është mësuar prej kohësh të jetojë në hijen e motrës, e pranon me hidhërim fatin e saj, derisa një partner i ri kërcimi e frymëzon duke i zgjuar ëndërrat.
Për herë të parë, dhe në momentin më mizor të mundshëm, dy motrat janë të barabarta. Më pas, njëra e tradhton tjetrën, dhe jetët e tyre ndryshojnë përgjithmonë, duke u ndarë në dy drejtime të ndryshme…
Ndërsa njëra prej binjakeve ndjek karrierën në balet dhe përjeton emocionet e një jete jashtë te-rritorit të Rusisë, në Amerikë, tjetra përzgjidhet që të interpretojë në përshtatjen e filmit epik “Lufta dhe paqja”, i financuar nga regjimi sovjetik.
Kur Lufta e Ftohtë bëhet edhe më e nxehtë, Maja dhe Natasha fillojnë të kuptojnë më mirë lidhjen me njëra-tjetrën, përballjen me hijet e së kaluarës, besnikërinë ndaj vendit të tyre, pendesat dhe thirrjen e gjakut.
Komente
Nuk ka ende komente