Bessa Myftiu është romanciere, poete, eseiste, përkthyese, skenariste dhe aktore. Lindur në Tiranë, ajo banon në Zvicër që prej vitit 1991. Ka shkruar skenarët e filmave Unë e dua Erën dhe Yllka, në të cilin luan rolin kryesor. Autore e njëmbëdhjetë librave frëngjisht, ka botuar në gjuhën shqipe vëllimin me poezi Miq të humbur, romanet Rrëfime nga vendet e harruara & Dashuri në kohën e komunizmit, si dhe përmbledhjen me tregime Drejt së pamundurës. Novela Ditët e vetmisë është vepra e saj më e re.
Regjimi komunist shqiptar kishte diçka të përbashkët me vdekjen: nuk e dije asnjëherë se kur të godiste, apo kë do të vinte në shënjestër. I padrejtë dhe mizor, ai ishte gjithashtu i paparashikueshëm. Por, duke pritur, mund të silleshe sikur rreziku nuk ekzistonte. Mund të mashtroje veten. Madje, mund të ishe edhe i lumtur për kohën që kishe në dispozicion. Dhe ashtu si uji që merr një shije të jashtëzakonshme në shkretëtirë, lumturia në komunizëm kishte diçka magjike: aty ku mungon çdo lloj pasurie, mbeten vetëm ndjenjat për të mbushur hapësirën e ditëve. Lumturia jonë ishte e tillë. Ne kemi dashuruar nga dëshpërimi, por mbi të gjitha, për të mbijetuar. Përndryshe, jeta bëhej e pamundur. Dashuria ishte litari i shpëtimit për t’u kapur pas ekzistencës, prandaj shpesh u ngjante ëndrrave – e vetmja rrugëdalje kur realiteti rënkon nga zhgënjimet. Yni kombinonte sistemin patriarkal dhe komunizmin. Na duhej të zgjidhnim: të hiqeshim sikur ishim të verbër ose të vdisnim.
Komente
Nuk ka ende komente