Tridhjetë gra që tregojnë historitë e tyre, tridhjetë tregime që dëshmojnë edhe një herë angazhimin feminist të Alberto Moravias, një angazhim që e ka bërë të ndërtojë një sërë portretesh të paharrueshme grash, te të cilat gjendja e shoqërisë dhe gjendja e gruas shfaqen më shumë se kurrë të lidhura me një problem të madh të vetëm moral: pasigurinë. Ky vëllim me titull Faqja tjetër e hënës (siç titullohet njëri prej tregimeve), bëhet shprehje e ngurrimit që gruaja nuk do të reshtë kurrë së nxituri te vetja, por edhe te shoku i vet, një zgjidhje ironike e një drame të përsëritur në shekuj nënshtrimesh dhe moskuptimesh. Gratë flasin për pasigurinë e tyre përballë jetës dhe, ironikisht, edhe për atë të meshkujve, për të cilët ato janë një enigmë e përhershme dhe tërheqëse. Ndryshe nga përmbledhjet e tjera me tregime, te Faqja tjetër e hënës, ato ushqejnë një zemërim të thellë dhe të gjitha përshkohen dhe shprehen në kuptimin frojdian nga zëri i pavetëdijes, efektet e të cilit i shohim, shpesh pa u kuptuar arsyet. Fijet e rrëfimit që lidhin tregimet me njëri-tjetrin janë një vizion krejt ‘feminist’ i një bote të re që po shfaqej dhe po afirmohej edhe në Itali, kur u botua ky vëllim 50 vjet më parë, duke rrënuar zakonet e vjetra dhe një strukturë shoqërore të rrënjosur thellë.
Kjo përmbledhje paraqet një Moravia me gjuhë të mprehtë, madhështor në ngulitjen e imazheve të shkurtra dhe të thukëta, që na kujtojnë përsosurinë letrare të romaneve të famshme të Moravias, që nga Çoçarja apo Burri që këqyr e deri te qindra e qindra faqe me tregime nga më të fuqishmit e letërsisë italiane të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar.
Komente
Nuk ka ende komente