Në Selanikun e viteve ’40, komuniteti hebre ishte një nga më të mëdhenjtë, por lufta dhe mizoria naziste do të rrënonin gjithçka. Një histori Holokausti pak e njohur botërisht, por që do t’ju rrëmbejë zemrat. 11-vjeçari Niko Krispis nuk ka thënë kurrë një gënjeshtër të vetme në jetën e vet. Prandaj dhe shoqja e tij e klasës, Fani, e do fort. Ndërsa, vëllai i tij më i madh, Sebastiani, mban një mëri të madhe përbrenda kundër tij pikërisht për dy arsyet e mësipërme. Ndërsa nazistët mbërrijnë në qytet, jeta e tyre, si dhe e gjithë hebrenjve të tjerë, do të marrë një rrjedhë të pashmangshme shkatërrimtare. Mirësia dhe sinqeriteti i Nikos do të përdoren kundër komunitetit të tij, kur një oficer gjerman do ta shkëmbejë reputacionin e Nikos, që njihet për ndershmërinë e tij, me premtimin se do t’i shpëtojë familjarët nga kampi i përqendrimit. Kur Nikoja do të kuptojë pasojat e tradhtisë, nuk do të arrijë më kurrë të thotë të vërtetën. Pjesën tjetër të jetës do ta kalojë duke ndërruar emra, vende dhe identitete, në kërkim të dëshpëruar të faljes, për veten dhe për njerëzit që do më shumë. Një roman, ku rrëfehet shkatërrimi që mund të sjellë gënjeshtra dhe mashtrimi jo vetëm në jetën e një individi, por në shkallë botërore. Gënjeshtari ynë i vogël i flet shpresës, në një rrëfim që do t’ju lërë pa frymë e do t’jua mbushë zemrën me fuqinë e shpirtit njerëzor dhe mirësinë që gjendet te secili prej nesh. I rrëfyer nga zëri i së Vërtetës, “Gënjeshtra e parë”, është një histori e pakohë për fuqinë e dashurisë për të na shëlbyer, pavarësisht se sa e fajësojmë veten për gabimet tona. Mitch Albom, autori bestseller i dashur nga të gjithë, vjen me një roman të fuqishëm mbi shpresën dhe faljen. Një histori që zë fill në brigjet e Selanikut, gjatë Luftës së Dytë Botërore e udhëton drejt Aushvicit e më pas në Epokën e Artë të Hollivudit, teksa jetët e ndërthurura të tre të rinjve hebrenj ndryshojnë rrjedhë përgjithmonë nga rreziqet e mashtrimit dhe hiri i shëlbimit. Kritika Frymëzuar nga ajo çka ndodhi gjatë Holokaustit me 50 mijë hebrenjtë që jetonin në Greqi, Albom ka krijuar art, i cili mund t’i shtohet listës së gjatë të filmave, muzikës, teatrit dhe librave që janë shpresa më e mirë e njerëzimit për të përcjellë fjalët e gdhendura në memorialë kudo në botë: “Kurrë mos harroni.” The Indipendent Ndonëse i rrëfyer pa bujë, pothuajse në mënyrë bisedore, “Gënjeshtra e parë” është një kronikë brutale mbi humbjen e së Vërtetës, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por shërben edhe si një qortim i rëndë për humbjen e së Vërtetës në botën e sotme. Mitch Albom na kërkon të rivlerësojmë raportin tonë me të Vërtetën: ç’domethënie ka për ne dhe çfarë zgjedhjesh do të bëjmë si rezultat i kësaj. Është në dorën tonë në duam të rrokim ose jo të Vërtetën. Book Reporter Një alegori magjepsëse për të keqen, gënjeshtrat dhe faljen. Kirkus Reviews Mitch Albom, me stilin e tij karakteristik, na shpie përtej tmerreve të luftës, duke na rrëfyer që ngjarje të parëndësishme në dukje, kanë pasoja të rënda. Ai do t’i shpjerë drejt një finaleje befasuese këto personazhe të paharrueshme. Të themi të vërtetën, ky është Albom-i në formën e tij më rrëmbyese.
Gënjeshra e parë
1,200 L
Autori bestseller i New York Times-it, Mitch Albom, është një rrëfimtar magjik, që ngjall shpresë përmes rrëfimeve universale të dobësive tona njerëzore, si dhe të kërkimit të vazhdueshëm të kuptimit të jetës. “Gënjeshtra e parë” na tregon se si një tragjedi kolektive mund të përkthehet në plagë individuale, secila prej tyre e thellë dhe e fshehur, të cilat ndikojnë në mënyrë të tërthortë më pas në jetët e qindra mijëra të tjerëve. Albom-i rrëfen se si dëmet dhe dhimbjet nuk mbeten kurrë të izoluara, ato shpërndahen nëpër njerëz e në kohë, për të prekur tinëzisht secilin prej nesh.
Përshkrim
Informacion shtesë
Shtëpia Botuese | Pegi |
---|---|
Numri i faqeve | 394 |
Autori | Mitch Albom |
Komente
Nuk ka ende komente