Ritreguar me sinqeritetin e vrazhdë, të saktë e shqetësues të një gruaje tashmë të moshuar, që e ka gjetur më në fund lirinë, rrugëtimi i saj personal përfshin figura e fakte historike të tri luftërave finlandeze, por edhe të Luftës së Dytë Botërore: ushtarakë, intelektualë gjermanofilë, Himleri e vetë Hitleri, tmerret në kampet e përqendrimit dhe në Poloninë e pushtuar më 1939. Laponi, natë.
Para oxhakut, një grua ripërshkon me mendje jetën e vet të gjatë: historinë e dhimbshme të dashurisë, që ka në sfond faqet e errëta të historisë së gjysmës së parë të shekullit XX, ato të një Finlande të shtrydhur midis Rusisë dhe Gjermanisë; frymëzimin nacionalist e antikomunist të “të Bardhëve”, me të cilin u ushqye në familje, në vitet 1910, ndërkohë që në kampet verore të vullnetarëve për atdheun merrte leksione sho-viniste e maskiliste; dhe pastaj… infektimin nga nazizmi. Më pas, nuk qe e vështirë për të, të gjente mishërimin erotik dhe sentimental te koloneli i pasur, i fuqishëm e autoritar, shumë më i madh se ajo, një i njohur i të atit në Gjermani, kur stërviteshin për të luftuar rusët.
Zërat për abuzime e përdhunime që shoqërojnë figurën e kolonelit, nuk e ndalin. Si krijesë e egër e kënetave të Laponisë, është e lumtur të lëshohet në dehjen e dashurisë dhe erosin e vet jetik. Fejesa e gjatë është kulmi euforik i një absurdi, që do të bëhet hi e pluhur pas martesës.
E keqja parakalon para syve të saj naivë të së kaluarës dhe na vjen ashtu siç ka ndodhur, e përshkruar nga një grua që po përpiqet të kuptojë plagët e saj dhe ato të një kombi.
Komente
Nuk ka ende komente