Masuxhi Ono është një artist japonez, piktor, tashmë i dalë në pension, i cili ka humbur të birin dhe të shoqen gjatë Luftës së Dytë Botërore. Tashmë, i qetë dhe babaxhan, jeton me të bijat, i përkushtohet të nipit si një gjysh i mirë dhe kopshtit të shtëpisë së tij të bukur. Në pamje të parë, asgjë nuk i trazon ujërat e kësaj pleqërie të bardhë. Mirëpo, bisedimet për martesën e vajzës së dytë, sipas zakoneve japoneze, do të nxjerrin në pah kujtime dhe shqetësime të së kaluarës së tij. Në rininë e tij, si djalosh i talentuar në pikturë, por edhe krenar e i vëmendshëm ndaj mjerimit ku ishte zhytur vendi, artisti Masuxhi Ono, nuk dëshironte t’ia kushtonte artin e tij vetëm kremtimit të bukurisë fizike, asaj “botës fluturake” të jetës së natës, qejfeve dhe zdërhalljeve me miq e geisha. Në vend të kësaj, ai e vuri artin e tij në shërbim të lëvizjes imperialiste që e shpuri Japoninë drejt Luftës së Dytë Botërore. Mirëpo, zgjedhjet e tij gjatë luftës, të volitshme për atë kohë, kanë lënë gjurmë në sytë e kolegëve dhe miqve, duke ia cenuar reputacionin. Megjithatë, plaku, duke menduar se ka vepruar në të mirë të vendit, nuk e kupton zemërimin dhe përbuzjen ndaj tij. Atij i duket sikur jeton në një botë krejt të huaj dhe i vetmi realitet për artistin mbetet idealizimi i vetvetes, jeton me këmbëngulje dhe nuk arrin të bëjë hesapet me përgjegjësitë e veta. I akuzuar nga shoqëria për dështimin e saj dhe i fyer për stilin e tij estetik në të shkuarën, ai përshkon nga e para historinë e tij personale, që e bën edhe hero, edhe burracak, por mbi të gjitha, një qenie njerëzore.
Artist i botës fluturake
1,000 L
“Artist i botës fluturake” na vë përpara dilemave morale të artistëve në një botë që është përherë në ndryshim e sipër.
Komente
Nuk ka ende komente