Tek Uliksi gjejmë po ato shqetësime të vjetra njerëzore: familja, përkujdesi, konflikti, beteja apo pushteti, rrënimi, zija, vetmia, mashtrimi, të gjitha të paraqitura aq vrullshëm te Odiseja, asgjë e re nën këtë diell. Por Joyce – i ofroi trajta të çuditshme, variacione të habitshme të kësaj asgjëje të re. Ajo që duket si roman u shndërrua në një seri metamorfozash të gjendjes, perspektivës, të stileve, ngjyrimeve tematike. Është bazuar në një epikë klasike, përmban pasazhe lirike, forma dramatike, është i mbushur me parodi, imiton teknikat muzikore dhe kërkon një vëmendje ndaj detajit që në përgjithësi aplikohet vetëm për poezinë. Joyce u përpoq të arrinte më afër asaj që ndodh në mendjet tona duke rafinuar teknika tradicionale në atë që asokohe u quajt monolog i brendshëm, një lloj lexim – mendimi i verbalizuar, me të gjitha rastësitë e subjektivitetit, frazat e hedhura rëndom, sfida ndaj rendit logjik apo ndaj strukturës gramtikore të fjalisë. Jo gjithçka që na kalon në mend është e denjë dhe kuptimplote.
Uliksi
1,500 L
Megjithë përthyerjet që pëson gjatë përkthimeve ( dhe natyrisht çdo përpjekje për t’i konvertuar dredhitë idiosinkratike të Joyce – it nuk shkojnë larg) Uliksi ka patur në letërsi një efekt që s’mund të krahasohet. Nga njëra anë ai shfaqet si monument i palexueshëm dhe i errët, diçka që vetëm një elitë intelektuale rreket ta shfrytëzojë për të shtuar madhështinë e vet; dhe nga ana tjetër, libri ka kapur tregjet dhe është shndërruar në kulturë popullore, që e tregon fare hapur. Një sajesë letrare, punë asgjë veç disa fjalëve e gërmave në një libër, 16 qershori njihet në mënyrë globale si “Bloomsday”; njihen festime dhe mbledhje, disa në formë kulti e përnderimi, disa me përqeshje, disa plot me komercializëm të trashë.
Komente
Nuk ka ende komente